Pak pas mesnatës, qyteti i Lushnjës është tronditur nga një shpërthim i ndodhur në lagjen “Gafurr Muça”. Një sasi e vogël lënde plasëse është vendosur pranë murit të jashtëm të një banese në katin e parë të një pallati 5-katësh.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, kryesisht thyerje xhamash. Ende nuk është konfirmuar nëse në momentin e ngjarjes në banesë ndodheshin banorë.
Banesa është në pronësi të shtetases Shaqe Gjata, nëna e Klea Gjata — ish e dashura e Laert Haxhiut, i dënuar me burgim të përjetshëm. Fatmirësisht, vetë apartamenti nuk ka pësuar dëme.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë dokumentuar episodin për të zbardhur dinamikën dhe për të identifikuar autorët.
Paraprakisht dyshohet se lënda plasëse është vendosur si një formë paralajmërimi apo mesazhi, dhe jo me qëllim për të shkaktuar dëme serioze.