Policia e Tiranës po vijon kërkimet për kapjen e Sadik Llanit, 39-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Ardian Baloshi. Hetimet janë përqendruar kryesisht në zonën e Liqenit të Bovillës, ku autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë larguar pas ngjarjes.
Sipas verifikimeve të kamerave të sigurisë, policia ka arritur të gjurmojë lëvizjet e tij drejt kësaj zone, duke orientuar operacionin e kërkimit në terren malor dhe zonat përreth.
Forcat RENEA kanë zhvilluar kontrolle gjatë mbrëmjes së kaluar në rreth 15 objekte të dyshuara, por pa arritur të lokalizojnë të kërkuarin. Kontrollet janë shtrirë gjithashtu edhe në zonën malore të Krujës, si pjesë e operacionit të gjerë policor.
Ndërkohë, pranë Liqenit të Bovillës është gjetur i braktisur automjeti i dyshuar i përdorur nga autori i krimit. Brenda tij nuk janë konstatuar sende të kundërligjshme.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, policia ka marrë në pyetje tetë persona, të cilët nuk kanë dhënë detaje të rëndësishme për grupin hetimor. Hetimet dhe kërkimet për kapjen e 39-vjeçarit vijojnë në disa zona.
