Detaje të reja janë bërë publike nga operacioni i policisë që çoi në arrestimin e një 23-vjeçari nga Dibra, i dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike. I riu Domeniko Cibaku u kap në flagrancë me 1.54 kilogramë kanabis në formë xhelatine, i cili dyshohet se kishte mbërritur në Shqipëri përmes shërbimit postar nga Kanadaja.

Sipas burimeve zyrtare, 23-vjeçari nuk ka precedentë penalë, por rezulton i evidentuar më herët për përdorim të lëndëve narkotike. Lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej për shitje në zonën e 5 Majit, kryesisht në lokalet e lagjes.

Hetimet kanë zbuluar se i riu nuk vepronte i vetëm, por ndihmohej nga një person tjetër, i cili është identifikuar dhe aktualisht është në kërkim nga policia. Punimet hetimore vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë.