Vazhdojnë kontrollet për kapjen e Sadik Llanit, 39-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e një të riu në Paskuqan. Sipas informacioneve të siguruara, autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë fshehur në zonën mes Kamzës dhe Fushë-Krujës.

Bëhet me dije se në operacion janë angazhuar forca të shumta të RENEA-s dhe të Policisë së Shtetit, të cilat kanë shtrirë kontrollet edhe në territorin e Fushë-Krujës, ku janë kontrolluar dhjetëra banesa dhe ambiente të dyshuara për strehimin e tij.

Autoritetet e kanë shpallur Sadik Llanin person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se ai mund të jetë ende i armatosur.

Në kuadër të kërkimeve, policia ka vendosur gjithashtu një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion që çon në lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Ndërkohë, burime për Top News bëjnë me dije se është gjetur në Bovillë automjeti i dyshuar i përdorur nga autori i vrasjes së ndodhur në Paskuqan, një zhvillim që pritet të ndihmojë hetimet për gjurmimin e tij.

Operacioni vijon në disa zona, ndërsa grupet hetimore po analizojnë të dhënat e reja për të përcaktuar vendndodhjen e mundshme të të kërkuarit.