I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, u lirua nga qelia këtë pasdite, por menjëherë u transportua me urgjencë në QSUT, pasi shfaqi probleme serioze me zemrën dhe vështirësi me frymëmarrjen. Ai u shoqërua nga forcat speciale të burgjeve dhe RENEA gjatë transportit.
Dumani është emër i njohur në botën e krimit, i dyshuar për një seri vrasjesh të rënda. Ai akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, si dhe ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar më 15 shtator me 14 plumba.
Për më tepër, Dumani akuzohet si organizator i vrasjeve të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 mars 2020. Ai dyshohet gjithashtu se ka bashkëpunuar me Talo Çelën për vrasjen e katër të rinjve në Durrës dhe aktualisht akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.