Nga Pogradeci, dje kryeministri Edi Rama tha se në takim është diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka mësuar detajet e para se si do të funksionojë “Pasqyrë Albania”. Do të jetë një modernizim i platformës së “Bashkëqeverisjes” me dy seksione. I pari do të quhet “Flamingo Mirror”, nga ku do të mbërrijnë sinjalizime me ndjeshmëri dhe shqetësime të përditshme të qytetarëve.

Pjesa tjetër e platformës do të quhet “Radar”, nga ku do të mblidhen të gjitha shqetësimet, të cilat do të gjurmohen brenda 48 orëve dhe më pas, në një afat deri dyjavor, duhet të marrin zgjidhje. Burime nga PS pohuan për Top Channel se përmes “Mirror Albania” synohet rritja e besimit te institucionet shtetërore, me synim primar zgjidhjen e problemeve. Suksesi i kësaj iniciative të re të Edi Ramës pritet të ketë si test zgjedhjet lokale të 2027./ Top Channel