Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në hyrje të qytetit të Shkodrës, ku dy persona kanë kërcënuar me armë forcat “Shqiponja”. Ngjarja ka ndodhur në një postobllok, ku dy shtetas janë afruar pranë efektivëve dhe kanë shpërthyer në kërcënime të rënda.
“Do t’ju hapim barkun me plumba”, thuhet se u kanë thënë dy personat punonjësve të policisë, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja.
Efektivët i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë arritur t’i ndalojnë, duke i shoqëruar në ambientet e Policisë së Shkodrës. Deri tani, motivet e kërcënimit mbeten të paqarta, ndërsa uniformat blu kanë nisur marrjen në pyetje të të ndaluarve për të zbardhur ngjarjen.
Burime konfirmojnë se njëri prej të shoqëruarve është vetë efektiv policie, pjesëtar i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), por në momentin e ngjarjes nuk ka qenë në krye të detyrës. Hetimet po vijojnë.