Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Volosit në Greqi, ku një 40-vjeçar shqiptar vrau me thikë bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, nënë e katër fëmijëve.
Krimi ndodhi rreth orës 11:00, në hyrje të pallatit ku çifti banonte. Sipas raportimeve, mes tyre kishte shpërthyer një konflikt i fortë, i cili përfundoi tragjikisht kur autori, Pandeli Nakoleci, e qëlloi gruan me thikë duke i marrë jetën në vend.
Pas krimit, ai u largua në këmbë dhe policia po vijon kërkimet për kapjen e tij. Katër fëmijët e mitur të çiftit ndodheshin në banesë gjatë ngjarjes dhe janë marrë nën kujdes nga autoritetet.
Nga të dhënat paraprake, çifti nuk kishte histori të raportuar dhune në familje. Megjithatë, mediat greke shkruajnë se autori ishte përdorues droge dhe kishte tentuar vetëvrasje në qershorin e kaluar. Ai dyshohet gjithashtu të ketë vuajtur nga probleme të shëndetit mendor dhe ka një dënim të mëparshëm për vjedhje, për të cilin ishte deportuar nga Greqia.
Një dëshmitare nga lagjja tregoi se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një aksident, por më vonë mori vesh për krimin e rëndë.
“Pashë ambulancën dhe policinë. Më thanë se ishin zënë jashtë portës së pallatit dhe burri e qëlloi me thikë. Pastaj e shtyu dhe u thyen xhamat e portës. E gjithë ngjarja ndodhi aty”, tha ajo për mediat vendase.






