Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim shtetasin Julian Gjoshi, 27 vjeç, nga Shijaku, i dyshuari kryesor për vrasjen e Alfred Dedja, të ndodhur sot pasdite në një lokal në zonën e Ndroqit, afër “Kështjella”. Gjoshi, i cili ka precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje, dyshohet se ka kryer krimin pas një konflikti mes tij dhe viktimës, Alfred Dedja, i cili banonte shumë pranë vendit të ngjarjes.

Autori Julian Gjoshi, larguar nga ngjarja me mjet tip Benz Ml te zi.

Pista kryesore që po hetohet është ajo e konflikteve mes autorit dhe viktimës. Sipas informacioneve paraprake, autori ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar menjëherë mbi viktimën Dedja, duke e lënë të vdekur. Në momentin e krimit, në lokal ka pasur edhe klientë të tjerë, të cilët janë tmerruar nga ngjarja dhe janë larguar me vrap, duke lënë pas një atmosferë të frikshme.

Policia ka ngritur një grup hetimor dhe po punon intensivisht për të gjetur Julian Gjoshi-n dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. Për momentin, hetimet janë duke u fokusuar në motive personale dhe konflikte të mëparshme, ndërsa autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së prishjes së pazareve të drogës, edhe pse nuk janë përjashtuar shkaqe të tjera, përfshirë grindje të çastit.

Përveç kërkimeve për autorin, policia ka siguruar prova të rëndësishme nga vendi i ngjarjes, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të krimit dhe ndalimin e personit të dyshuar.