Ngjarja e rëndë e 23 korrikut në Sesto San Giovanni, në verilindje të Milanos, po zbardhet me detaje të reja tronditëse. Viktima, Hayati Aroyo, 62 vjeç, me origjinë turke dhe i lidhur me botën kriminale të vendit të tij, u godit me thikë 30 herë dhe më pas iu vu flaka për të zhdukur gjurmët.

Autorët e dyshuar të krimit, sipas urdhrit të arrestit të prokurorit të Monzës, Marco Giovanni Santini, janë Valentina Peroni, 36 vjeç, bashkëshorti i saj Emanuele Paganini, 38 vjeç, dhe shqiptari Elvis Simoni, 33 vjeç. Ky i fundit dyshohet se i dha goditjen e parë viktimës dhe më pas e dogji trupin e tij në apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Hetimet zbuluan se motivi lidhej me një video erotike të ruajtur nga Aroyo në një tablet, ku shfaqej Valentina. Pajisja elektronike, së bashku me para, një celular dhe tre karta krediti, u vodhën pas krimit. Pikërisht përdorimi i një prej kartave në një lojë fati në Busto Arsizio çoi hetuesit në gjurmët e autorëve.

Policia italiane arrestoi Elvis Simonin ndërsa planifikonte arratisjen drejt Kroacisë. Në pranga kanë përfunduar edhe dy bashkëpunëtorët e tij, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për lidhjet e ngjarjes me rrjete droge dhe festa të organizuara nga Aroyo.