Të tjera detaje janë zbardhur nga aksioni i zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Sarandë, ku u arrestua shefi i Komisariatit, Gëzim Bashllari.
Raportohet se në pranga kanë rënë edhe shefi i Krimeve të Sarandës, Andi Duro dhe 2 specialistë të policisë janë prangosur ditën e sotme, ndërsa priten edhe arrestime të tjera, në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në zonat më të lakmuara bregdetare të jugut, Sarandë dhe Ksamil.
Korrespondentja e Top Channel, Entjola Budo bën me dije se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetime me në fokus verifikimin e rolit dhe përgjegjësisë së efektivëve të policisë në lejimin apo mosparandalimin e këtyre ndërtimeve të paligjshme.
Lëvizja e AMP vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë. Në njërin rast, Prokuroria sekuestroi katin e një hoteli të ndërtuar pa leje, ndërsa në rastin tjetër, në një plazh të Ksamilit, u arrestuan 8 punëtorë që po kryenin punime të paligjshme.
Burime paraprake bëjnë me dije se hetimet do të përqendrohen edhe tek veprimet ose mosveprimet e strukturave policore përgjegjëse për kontrollin e territorit, për të verifikuar nëse ka pasur tolerim apo përfshirje në këto raste./ Top Channel
