Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i ndodhur sot në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ku një person ndërroi jetë dhe 4 të tjerë u plagosën.
Raportohet se viktima është një shtetas 33-vjeçar nga Kina, i cili nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, të plagosur janë 4 personat që ndodheshin në automjetin tjetër.
Sipas policisë, makina e drejtuar nga 33-vjeçari kinez u përplas kokë më kokë me atë të 26-vjeçarit që ka mbetur i plagosur. Nuk dihen ende rrethanat e aksidentit, por grupi hetimor po punon për të zbardhur të plotë ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, automjeti me drejtues shtetasin kinez T. H., 33 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin V. M., 26 vjeç.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi kinez T. H., si dhe janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi V. M., si dhe 3 pasagjerë, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
