Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetime lidhur me fenomenin e ndërtimeve pa leje në Sarandë dhe Ksamil.
Fokus i hetimeve është verifikimi i rolit dhe përgjegjësisë së efektivëve të policisë në lejimin apo mosparandalimin e këtyre ndërtimeve të paligjshme, ndërsa deri tani janë vënë në pranga dy efektivë. Lëvizja e AMP vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë. Në njërin rast, Prokuroria sekuestroi katin e një hoteli të ndërtuar pa leje, ndërsa në rastin tjetër, në një plazh të Ksamilit, u arrestuan 8 punëtorë që po kryenin punime të paligjshme.
Burime paraprake bëjnë me dije se hetimet do të përqendrohen edhe tek veprimet ose mosveprimet e strukturave policore përgjegjëse për kontrollin e territorit, për të verifikuar nëse ka pasur tolerim apo përfshirje në këto raste.

