RENEA dhe Policia kanë identifikuar një tjetër person për aksionin e zhvilluar në Pukë, ku dyshohej fillimisht për një person të armatosur të fshehur në një banesë.
Raportohet se personi i identifikuar është Arben Uka, i cili ka qenë më parë në ndjekje nga anti-terrori. Godina është në pronësi të Mehill Jakut ndërsa Arbeni është nipi i tij. Më herët u identifikua edhe 24-vjeçari Julian Çumaraku. Sipas informacioneve paraprake të dy personat kanë qenë më parë në Siri.
Shtëpia është rrethuar që prej mëngjesit nga policia e Pukës, ndërsa pas dështimit të negociatave për tu vetëdorëzuar, në zonë kanë mbërritur dhe forcat RENEA. Gjatë negociatave me policinë për t’u dorëzuar, njëri prej personave është dëgjuar të thërrasë dhe “Allahu Ekber”.



