Ermal Beqiri është arrestuar në qytetin Amiens të Francës, pasi ishte shpallur në kërkim në lidhje me hetimet mbi skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH). 44-vjeçari u pikas fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, duke fluturuar me një avion të vogël mbi centralin bërthamor të “Penly”.

Ai u shoqërua nga forcat ajrore franceze deri në aeroportin “Albert”, ku u ndalua nga policia për t’u marrë në pyetje. Mediat franceze raportuan se në momentin e ndalimit iu gjetën tre “Airtag”. Gjatë marrjes në pyetje, Beqiri deklaroi se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme, për shkak se në ato momente, ishte duke biseduar me nënën e tij në telefon. Por përgjigjet e tij krijuan dyshime të policia e për këtë arsye, pasi u komunikua me palën shqiptare u vendos arrestimi, për shkak se rezultoi se bëhej fjalë për të shumëkërkuarin Ermal Beqiri.

Sipas Policisë së Shtetit që reagoi mbrëmjen e së martës me një njoftim zyrtar, Beqiri është vendosur në paraburgim dhe pritet që këtë të mërkurë të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Ermal Beqiri akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.