Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimi ne ish-presidentit Ilir Meta. Mësohet se ai u arrestua tek zona e njohur si “Kthesa e Kamzës” nga forcat operacionale dhe ato të BKH-së.

Pasi makina ku ai udhëtonte u ndalua, Presidenti i PL-së u nxor me forcë nga makina nga agjentët e policisë dhe ato të BKH. Nuk dihet nëse ka pasur një përplasje mes Metës dhe policëve që mbanin maska në fytyrë, e që çoi në reagimin e fortë të tyre.

Mësohet se Meta ka qenë në ndjekje nga BKH, që në momentin kur ai ka hyrë në territorin shqiptar nga Kosova. Dy automjete të BKH dhe agjentëve të policisë e kanë ndjekur automjetin ku ndodhej ish-Presidenti deri në momentin kur është vendosur ndërhyrja për ta arrestuar. Pas arrestimit, ish-presidenti u dërgua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku ka qëndruar për rreth 90 minuta dhe më pas është shoqëruar në atë që njihet si blloku i sigurisë.

Meta është ndaluar me akuzat e korrupsionit, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash. Ndaj Metës kishte nisur një hetim pasuror, ndërkohë që janë disa çështje që SPAK po heton ish-Presidentin, përfshi edhe një lobim në SHBA.