Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i ish-ushtarakut Altin Celami, i cili përfundoi në prangat e policisë dy ditë më parë.
Ish-ushtaraku ishte mbajtur prej disa javësh në vëzhgim nga policia ndërkohë qe përdorte një taksi prej kohësh në mënyrë që të kamuflohej për të furnizuar me armë grupet kriminale.
Altin Celami, prej kohësh zgjodhi që mësimet e fituara në radhët e ushtrisë t’i ushtronte në shërbim të krimit. Në dëshminë e tij, Celami ka deklaruar se armët ishin të tijat dhe i ka pranuar akuzat e ngritura nga policia ndonëse nuk ka dhënë detaje te mëtejshme.
Burime nga policia bëjnë me dije për “abc news” se armët u shiteshin grupeve kriminale në Fresk dhe Kamëz dhe nuk ishte hera e parë që bëhej një rrugë e tillë.
Policia kishte dokumentuar disa raste të tilla, të paktën 10 raste. Gjithashtu mësohet se një pjesë e pistoletave vinin nga Kosova dhe ishin armë që modifikoheshin në banesë, në mënyrë që të përdoreshin vetëm një herë dhe pastaj të shkriheshin ose të hidheshin.
Kjo ishte një metodë që Çelami e përdorte në mënyrë që grupet kriminale t’i blinin përsëri armët tek ai, pasi kjo lloj arme ishte e vështirë të gjurmohej.
Altin Celami nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi pas një aksioni të policisë në vitin 2022, 15 persona ranë në prangat e policisë së Durrësit – një grup kriminal që merrej me vrasje me pagesë.
