Disa detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin që ndodhi më 17 prill në Lundër, ku katër persona u plagosën rëndë.
Autorët e sulmit, të armatosur me dy kallashnikovë, qëlluan me breshëri plumbash ndaj automjetit tip “G Class”, në të cilin udhëtonin dy fëmijët e mitur të pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikani Security”, Vesel Demiraj, dhe dy shokë të tjerë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur prova të rëndësishme për hetimin, përfshirë ADN mikse dhe një bluzë me zinxhir. Dy fëmijët e Demirajt, njëri 11 vjeç dhe tjetri 17 vjeç, janë dërguar për trajtim mjekësor jashtë vendit për shkak të plagëve të marra. Pjesëmarrës në ngjarje ishin gjithashtu Kian Mullai, 19 vjeç, dhe badigardi Arenc Atafa, 34 vjeç.
Pas sulmit, dy atentatorët e armatosur udhëtuan me motor dhe e braktisën atë në fshatin Fikas, ku e vunë në flakë për të fshirë gjurmët. Deri tani, nuk ka asnjë informacion të ri mbi gjetjen e kallashnikovëve të përdorur në atentat. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e motiveve dhe identifikimin e autorëve.//TCH
