Një automjet është qëlluar me armë zjarri në rrugën Shkodër-Hanin Hotit ndërsa nga kjo ngjarje nuk ka persona të plagosur nga të shtënat. Ndërkohë drejtuesi i automjetit është aksidentuar dhe ka lënë makinën e tij aty.
Ngjarja ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Koplikut, ku tashmë kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë nisur hetimet paraprake.
Automjeti duket se është qëlluar në ecje e sipër dhe për t’i shpëtuar plumbave është aksidentuar, duke u përplasur në bordurën e një karburanti. Njëra anë e makinës është e dëmtuar për shkak të përplasjeve që mund të ketë patur më përpara ose me makinën e autorëve ose në ndonjë vend tjetër. Po ashtu edhe gomat janë të dëmtuara plotësisht.
Mësohet se konflikti ka nisur që nga dogana e Hanit të Hotit për çështje parakalimi. Drejtuesit e automjeteve kanë bërë një debat mes tyre dhe më pas kanë vijuar parakalime ndaj njëri-tjetrit deri në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut ku ka patur të shtëna me armë zjarri. Ndërkohë 5 plumbat makina i ka në pjesën e pasme të saj tek bagazhi.
Sipas burimeve policia ka identifikuar edhe automjetin tjetër si dhe autorin e dyshuar që qëlloi me armë zjarri. Efektivët vijojnë punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të ndodhur.

