Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Paskuqan, ku dy persona të maskuar grabitën një argjendari. Bëhet me dije se nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se dy autorët kanë përdorur rrugicat periferike të Kamzës, duke shmangur rrugët kryesore. Të njëjtat rrugë kanë ndjekur edhe pas grabitjes.

Gjithashtu autorët kanë grabitur sende floriri të cilat shkojnë mbi 1.5 milionë lekë. Njëri prej autorëve dyshohet se ka shkuar edhe si klient ditë më parë, pasi kishin dijeni të plotë ku ndodheshin bizhuteritë me vlerë të konsiderushme. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që ata të kenë pasur bashkëpunëtorë të tjerë. Ndërkohë, Grupi hetimor ka dyshime se autorët e njohin mirë zonën, për shkak të itinerarit që kanë ndjekur.