Detaje të reja ja zbardhur nga hetimet për atentati ne rëndë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shkodër, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Mësohet se hetuesit kanë nisur hapjen e kamerave për të zbuluar lëvizjet e shënjestrës së atentatit, Erogen Brajovic alias Erogen Vaso. Hetuesit do të kontrollojnë kamerat për të parë ndonjë lëvizje të dyshimtë nga ana e Erogen Vasos apo nëse ka qenë në ruajtje nga autori.

Por po ashtu janë bërë dhe disa kontrolle në burgun e Reçit, për shkak se, Ragip Gila ka qëndruar në atë ambient për më shumë se 1 vit.

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç. Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. Truproja ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave. Kurse të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri.

Erogen Brajoviç, i cili mori tre plumba, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, Ragip Gila u arrestua nga policia pas ngjarjes, në tentativë për t’u arratisur.