Hetimet për vrasjen e 55-vjeçares Bardhe Ziçi në Shkodër po përqendrohen te pista e xhelozisë, e cila konsiderohet aktualisht si dyshimi kryesor nga grupi hetimor.
Sipas burimeve, kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet para krimit, ku dyshohet se Shtjefën Ziçi i ka kërkuar bashkëshortes telefonin celular. Kjo ka sjellë një debat mes çiftit, ndërsa më pas 62-vjeçari është futur në banesë, ka marrë armën e gjahut që e posedonte me leje dhe ka qëlluar ndaj gruas, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Autori i dyshuar nuk ka dhënë ende një deklarim zyrtar për shkak të gjendjes së tij psikologjike, ndërsa avokati mbrojtës pretendon se ngjarja ka qenë aksidentale. Sipas këtij versioni, ai kishte marrë çiften për ta pastruar dhe nuk ishte në dijeni se arma ishte e mbushur me fishekë, duke pretenduar se ajo ishte mbushur më herët nga bashkëshortja pa dijeninë e tij.
Megjithatë, bazuar në pamjet filmike, dëshmitë e mbledhura dhe veprimet e deritanishme hetimore, policia dyshon se motivi i krimit lidhet me xhelozinë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në momentin e arrestimit, i dyshuari ka shprehur se nuk ishte penduar për veprimin e tij. Kjo deklaratë nuk është administruar ende si dëshmi zyrtare në dosjen hetimore, pasi është bërë në çastet e para pas ndalimit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të datës 9 korrik, në unazën lindore të Shkodrës. Sipas hetimeve paraprake, pas debatit në dyqanin ushqimor që çifti administronte pranë banesës, autori mori armën dhe qëlloi dy herë ndaj bashkëshortes në prag të shtëpisë. Viktima tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por plagët e marra rezultuan fatale.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze, oficere në repartin ushtarak të Vau Dejësit. Shtjefën Ziçi punonte si taksist me automjetin e tij privat dhe ndihmonte gjithashtu në furnizimin e dyqanit ku punonte bashkëshortja.
Banorët e zonës i përshkruajnë të dy si njerëz të qetë dhe pa konflikte të njohura, çka e ka bërë ngjarjen edhe më tronditëse për komunitetin.
