Hetimet e policisë greke kanë hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të regjistruar mëngjesin e së dielës në Nea Smyrni të Athinës, ku një grua 45-vjeçare shqiptare dhe një burrë u gjetën të vdekur në hyrjen e një pallati. Të dhënat e reja kanë ndryshuar edhe pistën fillestare të hetimit, pasi autoritetet dyshojnë se burri vrau gruan dhe më pas i dha fund jetës.

Pamjet e kamerave të sigurisë së pallatit kanë rezultuar vendimtare për rindërtimin e asaj që ndodhi. Sipas hetuesve, burri kishte mbërritur më herët në zonë dhe kishte pritur 45-vjeçaren pranë hyrjes së ndërtesës. Në momentin që ajo është shfaqur, ai e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë fatale.

Vetëm pak çaste më vonë, burri dyshohet se ka përdorur të njëjtën armë për të qëlluar veten. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se gjatë episodit janë dëgjuar dy të shtëna. Arma u gjet pranë trupave, duke u sekuestruar më pas nga policia për ekzaminime të mëtejshme.

Hetuesit po e trajtojnë ngjarjen si një krim të lidhur me marrëdhënien personale mes dy viktimave. Ata ishin me origjinë shqiptare, të moshës rreth 35-45 vjeç dhe nuk rezultonin të martuar me njëri-tjetrin.

Një tjetër element i zbuluar gjatë hetimeve lidhet me arsyen pse 45-vjeçarja ndodhej në atë pallat. Ajo nuk ishte banore e ndërtesës, por kishte shkuar atje për të takuar vajzën e saj, e cila jetonte në pallat.

Departamenti i Vrasjeve po vijon hetimet për të krijuar një panoramë të plotë të marrëdhënies mes tyre dhe për të përcaktuar rrethanat që çuan në ngjarjen tragjike. Ekspertizat balistike, provat e mbledhura në vendngjarje dhe rezultatet mjeko-ligjore pritet të plotësojnë dinamikën e krimit dhe motivin që qëndron pas tij.