Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur pasditen e sotme në zonën e Kombinatit, ku një 41-vjeçar plagosi me armë zjarri kunatin e tij.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 15:40, në banesën e të plagosurit në rrugën “Llambi Bonata”. Sipas raportimeve, debati mes dy familjarëve ka nisur për motive të brendshme, por ka degjeneruar në dhunë.
Autori i dyshuar, Misir Tanushi, 41 vjeç, pasi është konfliktuar ashpër, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të kunatit të tij, 56-vjeçarit Genci Mullaymeri, duke e plagosur në këmbë.
I lënduari u transportua menjëherë në spitalin e Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, Tanushi u arrestua nga policia pranë banesës ku ndodhi ngjarja.
Ndërkohë, një tjetër person i pranishëm në konflikt, shtetasi me inicialet N. S., është shpallur në kërkim, teksa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.