Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me rrëmbimin e një 29-vjeçareje në Tiranë.

Bëhet e ditur se autori Jurgen Shima ishte njohur me 29-vjeçaren në rrjetet sociale dhe kishin vendosur të takoheshin. Djali ka shkuar nga Lushnja në Tiranë, ku ka takuar vajzën në zonën e Astirit dhe së bashku kanë konsumuar darkë. Më pas, Shima e ka ftuar në shtëpinë e tij, por 29-vjeçarja nuk ka pranuar

Në këtë moment, ai e ka futur pa dëshirën e saj në makinë dhe e ka çuar në Lushnjë. Vajza ka treguar se gjatë rrugës kanë debatuar dhe ai e ka kërcënuar. Ajo ka shtuar se për të shpëtuar ka tentuar edhe të hidhet nga makina, teksa ishte në lëvizje.

Pas debatit të ashpër, ai ka vendosur që ta kthejë vajzën në Tiranë dhe e ka lënë jashtë banesës së saj. E reja më pas ka bërë denoncimin në polici, që çoi dhe në arrestimin e Jurgen Shimës.