Një ngjarje e dhunshme është regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen nr. 15 të Durrësit, ku një 37-vjeçar ka goditur me sende të forta dy shtetas, për motive ende të paqarta.

Policia njofton se rreth orës 08:30, shtetasi K.K., 37 vjeç, ka sulmuar dy persona që ishin kushërinj, B.Xh., 66 vjeç dhe A.Xh., 61 vjeç. Gjatë konfliktit, ai dyshohet se ka qëlluar edhe në ajër me një armë me fishekë manovër, e cila u sekuestrua më pas si provë materiale.

Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, autori u arrestua në flagrancë.

Dy të plagosurit po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.