Vëllai i një prej tre personave të arrestuar nga policia si autor i dyshuar i plagosjes së 2 vëllezërve Shukulli mbrëmjen e së mërkurës në Sarandë, rezulton gjithashtu i plagosur në një ngjarje të ndodhur 3 javë më parë në qendër të Sarandës.

Plagosja e 29 gushtit, nuk rezulton të jetë bërë publike, por viktimë e saj mbeti 21-vjeçari Ndriçim Bajrami, person me precedentë penalë, vëllai i të arrestuarit Eduart Bajrami. Nuk dihet nëse ngjarja e 29 gushtit ka lidhje me ngjarjen e dy netëve më parë, por autori i saj tashmë është i lirë pas vendimit të Gjykatës.

Sipas burimeve, më datë 29.08.2026, rreth orës 15:30, është marrë njoftim nga Urgjenca e Spitalit “Petro Nako” Sarandë se një shtetas është paraqitur në spital me një dëmtim me mjet prerës shpues në pjesën e këmbës.

Menjëherë janë afruar në spital shërbimet e policisë dhe pas deklaratës së marrë ka rezultuar se personi i dëmtuar ka qenë shtetasi Ndriçim Barjami, i cili ka deklaruar se autori e ka qëlluar me thikë tek këmba për motive të dobëta, në afërsi të Bashkisë Sarandë. Disa momente më pas në ambientet e spitalit është paraqitur dhe autori dyshuar, emrin e të cilit burimet nuk e bëjnë me dije, ku Forca Shqiponja gjatë kontrollit personal në trup i kanë gjetur një mjet prerës shpues thikë me ngjyrë të zezë si dhe një sasi të dyshuar si lëndë narkotike të llojit cannabis sativa.

I plagosuri Ndriçim Barjami ndërkohë, është nisur në drejtim të Tiranës për një mjekim më të specializuar, jashtë rrezikut për jetën. Është bërë sekuestrimi i thikës dhe lëndës së dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, e cila rezultoi 2.05 gramë.

Në seancë gjyqësore prokuroria kërkoi vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, ndërkohë që gjykata caktori ndaj tij masën e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” një herë në muaj, të hënën e parë të çdo muaji, ora 09:00.