Kanë dalë informacione të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku një punonjës i Policisë Rrugore u sulmua me thikë gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas burimeve hetimore, autor i dyshuar i sulmit është shtetasi Dorjan Kasa, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim në pritje të veprimeve të mëtejshme procedurale.
Ngjarja është regjistruar pranë një qendre tregtare në kryeqytet, në një zonë me qarkullim të lartë këmbësorësh. Në momentin e incidentit, efektivi i Policisë Rrugore po menaxhonte lëvizjen e qytetarëve në vendkalimin e këmbësorëve dhe po orientonte kalimin e tyre në mënyrë të sigurt.
Në dëshminë e tij para hetuesve, polici ka rrëfyer se sulmi ka ndodhur papritur dhe pa asnjë paralajmërim.
“Fillimisht nuk e kuptova se çfarë po ndodhte dhe as kush ishte personi. Nuk e njihja. Kur pashë se kishte afruar thikën pranë qafës sime, reagova instinktivisht dhe u përpoqa ta neutralizoja”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Falë reagimit të menjëhershëm të efektivit dhe ndërhyrjes së kolegëve të tij që ndodheshin pranë, autori i dyshuar u vu nën kontroll dhe u arrestua në vendngjarje. Gjatë veprimeve procedurale, policia sekuestroi edhe armën e ftohtë që dyshohet se u përdor në sulm.
Megjithatë, motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Sipas burimeve, gjatë marrjes në pyetje Dorjan Kasa ka refuzuar të japë shpjegime përpara hetuesve dhe nuk ka sqaruar arsyet që e shtynë të sulmonte efektivin e policisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse pas sulmit qëndronte një konflikt i mëparshëm apo një veprim i kryer pa ndonjë motiv të qartë
