Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur një banesë në Elbasan, duke shkaktuar dëmtime në portën e jashtme të rrethimit të shtëpisë së 60-vjeçarit Shefki Frakulli.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se lënda plasëse është vendosur pranë hyrjes së banesës dhe më pas ka shpërthyer, duke dëmtuar portën. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të plagosur, ndërsa dëmet e shkaktuara janë materiale.
Pas ngjarjes, në zonë kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur këqyrjen e vendit dhe mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave.
Në banesë jeton çifti Frakulli, ndërsa dy djemtë e familjes ndodhen prej disa vitesh jashtë vendit, njëri në Angli dhe tjetri në Itali.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e autorit ose autorëve, ndërsa një prej pistave që po verifikohet është mundësia që shpërthimi të ketë qenë një akt intimidimi apo paralajmërimi ndaj familjes.
Megjithatë, deri tani nuk ka një të dhënë zyrtare që përcakton motivin e ngjarjes apo që e lidh atë me aktivitetin e djemve të familjes jashtë Shqipërisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
