Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Maliqit mesditën e djeshme, ku 40-vjeçarja Merjeme Azizllari dhe djali i saj 14-vjeçar L. Azizllari humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre. 

Shkaku i vdekjes dyshohet të jetë asfiksia nga tymi. Ndërkohë, vajza 6-vjeçare ndodhet në QSUT, në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore, me djegie të shumta në trup.

Sipas raportimeve, dy fëmijët ishin vetëm në banesë dhe dyshohet se po luanin me shkrepëse në momentin kur shpërtheu zjarri. Nëna ndodhej te fqinjët dhe, kur është kthyer, ka gjetur banesën e mbuluar nga tymi.

Ajo arriti të nxjerrë vajzën jashtë, por kur u rikthye për të shpëtuar djalin, fatkeqësisht mbeti e bllokuar brenda dhe humbi jetën së bashku me të birin.

Fëmijët kanë qenë duke luajtur me shkrepëse, ndërsa nëna ka qenë të fqinjët. Kur është kthyer ka parë shtëpinë të mbushur me tym. Ka mundur të nxjerrë vajzën jashtë dhe më pas është rikthyer për të nxjerrë djalin, por nuk ka mundur. Vajza e kishte të vështirë lëvizjen, pasi kishte probleme me ecjen.

Të dy fëmijët ishin me spektrin e autizmit. Fqinjët thonë se herë pas here vajza lëvizte me karrocë. Kanë qenë fqinjët që kanë bërë të mundur nxjerrjen e nënës dhe djalit. Vajza ka plagë të shumta për shkak të flakëve. Ndërsa nëna dhe djali kanë pasur shumë pak plagë dhe vdekja e tyre ka ardhur nga asfiksia.