Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 19-vjeçares, Myrto, e cila humbi jetën në rrethana tragjike në një hotel në Argostoli të Greqisë.

Sipas hetimeve të autoriteteve greke, pamjet filmike dhe dëshmitë e njërit prej tre të rinjve të arrestuar tregojnë se e reja kishte konsumuar në mënyrë të përsëritur lëndë narkotike, konkretisht kokainë. Dyshohet se droga ishte siguruar përmes një ish-kampioni të peshëngritjes, në bashkëpunim me një shtetas shqiptar.

Ngjarja mori përmasa dramatike kur 19-vjeçarja humbi ndjenjat në dhomën e hotelit. Pavarësisht gjendjes së rëndë, personat që ndodheshin me të nuk kërkuan ndihmë mjekësore, por sipas hetuesve, u përpoqën të fshihnin gjurmët që mund t’i implikonin në ngjarje.

Sipas të dhënave zyrtare, ata e transportuan trupin e pajetë dhe e lanë në hyrje të hotelit, duke tentuar të shmangnin përgjegjësinë. Pretendimet e tyre se kanë vepruar nga paniku bien ndesh me provat e mbledhura, të cilat tregojnë për veprime të koordinuara.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se shkaku i vdekjes ishte arresti kardiak, që dyshohet të ketë ardhur si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë penale të të gjithë personave të përfshirë.