Hetimet për zbardhjen e fatit të 34-vjeçarit Eglant Koçi vijojnë me intensitet, ndërsa policia ka zgjeruar zonat e kërkimit në përpjekje për të gjetur trupin e tij.
Pas kontrolleve të kryera në Krrabë, Elbasan dhe Librazhd, grupet e kërkimit janë fokusuar së fundmi në zonën e Qafëmollës dhe Pëllumbasit. Këto zona dyshohet se njiheshin mirë dhe frekuentoheshin nga 41-vjeçari Armand Shakaj, i shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.
Sipas burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime se automjeti i Shakajt është parë në zonën e Pëllumbasit pas zhdukjes së Koçit, çka ka orientuar edhe veprimet e policisë në këto territore.
Shakaj u vu në fokus të hetimeve që në ditët e para pas denoncimit të familjarëve. Verifikimet e tabulateve telefonike treguan se ai ishte personi i fundit që kishte komunikuar me Eglant Koçin përpara se ky i fundit të humbiste kontaktet.
I marrë në pyetje nga efektivët e Komisariatit Nr. 2, 41-vjeçari mohoi të kishte dijeni për zhdukjen e mikut të tij, duke deklaruar se ishte po aq i shqetësuar për fatin e tij.
Megjithatë, hetimet e mëvonshme, të mbështetura në analizimin e kamerave të sigurisë dhe provave të tjera, çuan në dyshimet se Koçi ishte rrëmbyer nga Shakaj. Ndërkohë, i dyshuari ka humbur gjurmët pas marrjes në pyetje dhe vijon të jetë në kërkim.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS, Armand Shakaj nuk rezulton të ketë dalë jashtë territorit shqiptar, ndaj autoritetet dyshojnë se ai vazhdon të fshihet brenda vendit.
