Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Vaqarrit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të lënduar disa persona, mes tyre edhe fëmijë të mitur.

Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 19:05, në Vaqarr, automjeti me drejtuese shtetasen me iniciale Xh. Sh. është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi A. P.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 6 fëmijë të mitur, të moshave nga 6 deri në 10 vjeç, të cilët udhëtonin si pasagjerë në automjetin që drejtohej nga Xh. Sh., si dhe vetë drejtuesja e mjetit.

Të lënduarit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, sipas policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.