Forcat RENEA kanë ndërmarrë një operacion të gjerë këtë mëngjes, duke rrethuar banesën e Erjon Llapushit, i shpallur në kërkim për vrasjen e një kamarieri në Elbasan. Efektivët po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në brendësi të shtëpisë në përpjekje për ta kapur autorin e dyshuar.

Llapushi akuzohet për “vrasje me dashje” në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur më 2 tetor 2021 në një restorant në Labinot, Elbasan. Viktima, Gazmend Kormaku, punonjës i restorantit, humbi jetën pesë ditë pas një konflikti verbal dhe fizik me Llapushin. Sipas raportimeve, Kormaku është goditur me grusht gjatë një debati me autorin.

Në këtë ngjarje është përfshirë edhe Luan Dulellari, i cili akuzohet për moskallëzim të krimit dhe përkrahje të autorit. Autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe operacionin për të zbardhur të gjitha detajet dhe për të vënë drejtësi për ngjarjen.