Policia e Athinës ka identifikuar dhe arrestuar tre individë të përfshirë në vrasjen e një 58-vjeçari në Neos Kosmos, Greqi. Ngjarja tragjike ndodhi ditën e djeshme, kur viktima vdiq pas një sulmi të dhunshëm që u bë nga tre persona, dy grekë dhe një shqiptar.

Sipas raportimeve të “Protothema”, hetimi ka zbuluar se të rinjtë po ndiqnin makinën e 58-vjeçarit me dy motoçikleta. Për arsye ende të pasqaruara, njëri prej tyre ka filluar të godasë barbarisht viktimën, duke e kapur nga koka dhe e goditur vazhdimisht në timon. Në momentin që makina e viktimës u gjet, ajo ishte mbushur me gjak, dhe xhami i përparmë ishte i thyer.

Autoritetet dyshojnë se vdekja e 58-vjeçarit mund të jetë shkaktuar nga goditjet në kokë, duke përjashtuar mundësinë e një ataku në zemër. Skenari më i mundshëm është që ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës fizike që ka përjetuar.

Përveç tre të rinjve, policia ka arrestuar edhe babain e njërit prej autorëve, pasi ai u kap duke u munduar të fshehë motoçikletën e të birit gjatë një kontrolli shtëpie.

Një banor i zonës e ka përshkruar ngjarjen si një ndjekje me makinë dhe motoçikleta, duke shtuar se ata nuk u ndalën as në semaforin STOP. Në fillim, ai mendoi se po ndiqej ndonjë person nga policia.

Ndërkohë, raportimet tregojnë se të tre personat e përfshirë në ngjarje kanë një histori të mëparshme me veprime penale. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar motivet e vrasjes dhe për të siguruar drejtësi për viktimën.