Daut Laze, 49 vjeç, i cili vuante dënimin në Burgun e Shënkollit, është arratisur duke shfrytëzuar momentin kur ndodhej në sektorin e trajtimit mjekësor. Nga këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, nuk rezulton që ai të ketë marrë ndihmë nga stafi i burgut.

Sipas burimeve, Laze ka përfituar nga mungesa e stafit pranë tij dhe ka dalë në zonën e ajrimit. Aty ai ka marrë një llamarinë dhe duke e mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë, është ngjitur dhe ka kapërcyer murin. Më pas, ka kaluar rrjetën rrethuese dhe është larguar me vrap në arat fushore pranë burgut.

Policia ka vënë alarmin dhe ka nisur kontrolle intensive për kapjen e tij. Operacionet janë fokusuar në zonën pranë burgut të Shënkollit, si dhe në qytetet Lezhë, Tiranë, Çorovodë dhe të tjera. Për shkak të rrezikshmërisë që paraqet 49-vjeçari dhe problemet e tij të shëndetit mendor, autoritetet po veprojnë me përparësi për ta kapur sa më shpejt.

Ndërkohe, hetimet për arratisjen po vijojnë për të verifikuar nëse ka pasur ndihmë nga faktorë të jashtëm apo të brendshëm. Autoritetet ftojnë këdo që mund të ketë informacion mbi vendndodhjen e tij të lajmërojë menjëherë policinë.