Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Greqi, ku 40-vjeçari Pandeli Nakoleci masakroi me thikë bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci.
40-vjeçari u arrestua ditën e sotme pasi e kaloi natën në arrati, i fshehur në një parcelë toke pranë shtëpisë ku banonte me familjen.
Sipas mediave greke, ai u dorëzua në polici pa asnjë rezistencë, pasi një qytetar e gjeti duke fjetur dhe njoftoi autoritetet. Nga ana tjetër, raportohet se gjatë mbrëmjes, është parë duke ecur jashtë shtëpisë së tij. Dëshmitarë thonë se ai vëzhgonte ballkonin e banesës, aty ku vrau nënën e katër fëmijëve të tij.
Ndërkohë, në momentin që ai është vënë në pranga, është dëgjuar duke bërtitur me të madhe se gruaja e tradhtonte, pretendime që ai i nxjerr si justifikim për krimin makabër. Ai është shoqëruar tashmë në Departamentin e Policisë dhe fëmijët e tij janë njoftuar.