Policia e Tiranës ka zbuluar detaje lidhur me ngjarjen ku një 21-vjeçare, S.Q., pretendoi se ishte mbajtur e mbyllur në një apartament të marrë me qira. Mes të shpallurve në kërkim është Joni Sadikaj, 26 vjeç, banues në Tepelenë, i dashuri i vajzës.
Gjithashtu në kërkim janë S.S., 29 vjeç, A.A., 36 vjeç, O.A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë, dhe A.J., 40 vjeç, banues në Vlorë. Kontrollet në apartamentin përballë, të marrë me qira ditore, zbuluan dy armë zjarri, municion luftarak dhe sende personale që do t’i shërbejnë hetimit. Policia po vijon hetimet për kapjen e të shpallurve në kërkim dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila lidhet me veprimtari të paligjshme përfshirë armëmbajtjen pa leje.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 21 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.
Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
