Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Greqi, ku një 53-vjeçar shqiptar dyshohet se vrau me thikë bashkëshorten dhe më pas tentoi t’i jepte fund jetës.

Sipas të dhënave të publikuara, autori i dyshuar është Bujar Meco, 53 vjeç, nga Gramshi, ndërsa viktima është bashkëshortja e tij, Esma Meco, 44 vjeçe, gjithashtu nga Gramshi. Çifti ishte prindër i tre fëmijëve.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Rodopit. 44-vjeçarja u plagos rëndë me thikë dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.

Pas sulmit ndaj bashkëshortes, 53-vjeçari dyshohet se tentoi vetëvrasjen. Për mënyrën se si ka tentuar t’i japë fund jetës, mediat greke kanë raportuar versione të ndryshme. Disa prej tyre flasin për vetëplagosje me thikë, ndërsa të tjera raportojnë se ka konsumuar naftë.

Meco është dërguar në spital, ku ndodhet nën trajtim dhe mbikëqyrje mjekësore.

Sipas raportimeve paraprake, një prej fëmijëve të çiftit ka njoftuar autoritetet greke për ngjarjen.

Në hetimet e autoriteteve po shqyrtohet edhe e kaluara e marrëdhënies së çiftit. Sipas informacioneve të publikuara më herët, mes tyre kishte pasur probleme dhe episode të dyshuara të dhunës në familje.

Në fillim të vitit 2022, në Heraklion të Kretës, Esma Meco kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj për kërcënim. Në atë kohë, Bujar Meco ishte arrestuar nga policia në lidhje me një rast dhune në familje.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, motivin e krimit dhe rrethanat që çuan në tragjedinë e çiftit shqiptar.