Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me vrasjen e 56-vjeçarit Bujar Nasufi në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:20, kur viktima po kthehej në banesën e tij në rrugën “Myrte Zeneli”, pas largimit nga mobileria e tij në rrugën “Irfan Tomini”. Nasufi po udhëtonte me automjetin e tij tip Benz ngjyrë gri dhe u qëllua sapo mbërriti pranë banesës.
Sipas raportimeve, autori, i maskuar dhe i hipur në një motor si shpërndarës picash, e kishte ndjekur viktimën dhe priti momentin kur bashkëshortja e tij zbriti nga makina. Teksa 56-vjeçari po parkonte, autori qëlloi me pistoletë nga një distancë shumë e afërt. Nga gjashtë plumba të shkrepur, dy rezultuan fatalë për viktimën.
Policia nuk ka gjetur deri më tani ndonjë konflikt të hapur të viktimës, i cili njihej si person i qetë. Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e konflikteve për pronat. Familja Nasufi, me origjinë nga Berati, ka vite që jeton në zonën e Selitës së Vogël dhe është pronare e disa bizneseve në rrugën “Irfan Tomini”. Sipas deklaratave të familjarëve, pronat mes vëllezërve janë ndarë që herët dhe nuk ka pasur mosmarrëveshje.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar autorin dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
