Vetëm pak javë para se të gjente vdekjen nga dora e bashkëshortit të saj, Marjola Nakoleci i kishte shpëtuar jetën burrit duke e penguar nga një tentativë vetëvarjeje. Ky fakt u bë publik nga motrat e saj, të cilat tregojnë se 36-vjeçarja për një kohë të gjatë ishte viktimë e dhunës së përsëritur dhe e presionit të vazhdueshëm psikologjik.

Trupi i saj është sjellë në Korçë, ku sot në orën 11:00 do të zhvillohet ceremonia e varrimit. Atmosfera në familje është e rënduar, ndërsa të afërmit kanë shmangur kontaktet me median. Vajza më e madhe e Marjolës ka reaguar ashpër, duke deklaruar se është shkëputur nga i ati dhe se do të kërkojë drejtësi për nënën.

Dëshmitë e familjes tregojnë një tablo të zymtë: Pandeli Nakoleci ushtronte dhunë fizike e psikologjike, e akuzonte bashkëshorten për tradhti dhe shpesh e detyronte në marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, me synimin për ta kontrolluar përmes një shtatzënie të mundshme.

Sipas të dhënave hetimore, e shkuara e autorit është e mbushur me probleme. Ai ka pasur precedentë penalë për falsifikim, trafik droge dhe përfshirje në organizata kriminale, për të cilat është dënuar më parë. Gjithashtu, figuron i regjistruar me diagnoza të shëndetit mendor, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.