Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Borsh, ku një punonjës guroreje u aksidentua gjatë punës. Gjatë procesit të punës, një gur i madh është shkëputur, duke zënë poshtë drejtuesin e një skrepi, shtetasin Adnan Hysi, 43 vjeç.
Si pasojë, 43-vjeçari ka mbetur i dëmtuar rëndë dhe është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Sarandës. Sipas burimeve, i plagosuri ka pësuar politrauma në gjymtyrët e poshtme, deri në humbjen e një gjymtyre.
Pas dhënies së ndihmës së parë dhe stabilizimit fillestar në Spitalin e Sarandës, Adnan Hysi është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për trajtim më të specializuar mjekësor.





