Detaje tronditëse kanë dalë nga krimi i rëndë i cili ndodhi në Roskovec, ku i moshuari vrau bashkëshorten dhe më pas veten.

Burimet për mediat bëjn me dije se para se të kryente krimin e rëndë, 80-vjeçari Shefit Rrapaj ka tërhequr zvarrë gruan e tij, Dashuri Rrapaj nga oborri i banesës dhe e ka futur brenda shtëpisë. Pas kësaj ai e ka qëlluar atë me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, ajo ka humbur jetën në moment. Pas këtij akti, i moshuari ka vrarë edhe veten.

Çifti Rrapaj kishte rreth 20 vite që jetonte në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga Levani i Beratit. Ata ishin prindër të 7 fëmijëve, 3 vajza dhe 4 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Vetëm njëri prej djemve banonte me ta dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.

Burime nga zona bëjnë me dije se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite. Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar mosmarrëveshjet mes çiftit. Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri.