Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Komisariatin e Policisë së Përmetit, ku një vajzë e mitur dyshohet se është abuzuar seksualisht nga njerku i saj, një efektiv policie me inicialet P.B, si dhe nga kolegu i tij, Artur Ago.
Pas publikimit të rastit më 18 shtator, kur në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë mesazhe dhe pamje shantazhuese që implikonin efektivin Ago, autoritetet nisën menjëherë hetimet. Një ditë më pas, më 19 shtator, Drejtoria e Policisë vendosi pezullimin nga detyra të shefit të krimeve, Dhurim Çenko, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për abuzimin dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë parandaluese apo raportuese. Ndaj tij ka nisur një hetim për shkelje të rëndë disiplinore.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur gjithashtu hetime për zyrtarë të tjerë policie që dyshohet se kanë qenë në dijeni të ngjarjes dhe nuk kanë reaguar.
Ndërkohë, përveç shpalljes në kërkim të Artur Agos, në pranga kanë përfunduar edhe dy persona të tjerë, Kristian Prifti, 46 vjeç, dhe Isi Pasho, 27 vjeç. Ata akuzohen se kanë shantazhuar policin Ago, duke i kërkuar një shumë prej 12 mijë euro për të mos publikuar në një emision investigativ një video komprometuese, që dyshohet se dokumentonte marrëdhënie intime me të miturën.
Të dy efektivët e përfshirë në skandal janë pezulluar nga detyra. Vajza e mitur aktualisht ndodhet nën kujdesin e familjes, me mbështetje të vazhdueshme nga psikologët.