Detaje të reja dhe të pazakonta janë zbuluar lidhur me momentet e fundit të këngëtarit George Mazonakis në zyrën e mjekëve Elias Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka.

Sipas të dhënave të publikuara nga Protothema.gr, hetuesit kanë zbuluar gjurmë të fshira nga pajisjet elektronike të sekuestruara gjatë hetimit, ndërsa dy mjekët përballen me ndjekje penale për mjekim të gabuar që dyshohet se shkaktoi vdekjen e këngëtarit.

Një prej gjetjeve kryesore është një fotografi e gjetur në telefonin e njërit prej mjekëve. Në të shfaqet Mazonakis i shtrirë në shtratin ku kryhej plazmafereza. Fotografia rezulton të jetë fshirë nga pajisja dhe autoritetet po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se kur është realizuar.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me kompjuterin e mjekut. Sipas të dhënave të hetimit, në një moment kur Mazonakis ndodhej ende në zyrë, nga kompjuteri është kryer një kërkim lidhur me mënyrën se si mund të shpëtohej ose të rikthehej në jetë një pacient.

Autoritetet po verifikojnë nëse kërkimi është bërë përmes një mjeti të inteligjencës artificiale. Hetuesit synojnë të zbulojnë se kush e ka kryer kërkimin, në çfarë ore, çfarë pyetjeje është bërë dhe çfarë përgjigjeje është dhënë.

Por hetimi nuk ndalet këtu. Nga ekzaminimi i kompjuterit është konstatuar gjithashtu se disa shënime në kalendarin elektronik që lidhen me takimet e Mazonakis janë fshirë.

Fakti që mungojnë pikërisht regjistrimet që lidhen me këngëtarin ka ngritur pikëpyetje te hetuesit. Përmes analizës forenzike dixhitale, autoritetet po përpiqen të rikuperojnë të dhënat për të përcaktuar datat dhe oraret e vizitave të tij në klinikë, si dhe momentin kur janë kryer fshirjet.

Të gjitha këto elemente po analizohen në përpjekje për të rindërtuar minutë pas minute kronologjinë e ngjarjeve para vdekjes së këngëtarit. Në hetim po marrin rëndësi edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat mund të ndihmojnë në përcaktimin e asaj që ka ndodhur në klinikë.