Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Fier, ku 26-vjeçarja Emanilda Rama i mori jetën babait të saj, Anesti Rama.
Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, ngjarja dyshohet se është planifikuar sepse para disa ditësh, nënë e bijë e kishin çuar 56-vjeçarin, Anesti Rama në spital për vizitë te kardiologu në mënyrë që të justifikonin vdekjen.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së 23 korrikut, ndërsa në orën 01:00 është telefonuar policia. E reja tentoi që ngjarjen makabre ta fshihte, duke deklaruar para policisë se i ati kishte ndërruar jetë aksidentalisht. Emanilda Rama, 26-vjeçarja ka deklaruar se babai ka rënë në tualet dhe vdiq. Së bashku me nënën e kanë larë dhe kanë veshur trupin e pajetë.
Megjithatë, policia vuri re mavijosje në qafën e viktimës dhe aty lindën dyshime se nuk ishte ngjarje aksidentale, prandaj nisi marrja në pyetje intesive e 26-vjeçares.
Kështu, pas disa orëve në komisariat Emanilda Rama është thyer dhe ka treguar që ajo e ka lidhur me tel të atin dhe e ka vrarë. E reja ka treguar se e ka urryer të atin dhe se nuk e ka përkrahur kurrë në jetë. Po ashtu, ajo ka thënë se i ati e trajtonte me fanatizëm, duke mos e lejuar të vishej në mënyrë bashkëkohore dhe as të argëtohej si moshatarët e saj.
“I mbante lekët për vete. Nuk me blinte as rroba, asgjë. Me ka nxirë jetën, e urreja”, ka thënë ajo.
26-vjeçarja ka qenë e fejuar dhe është ndarë nga partneri pasi ishte në gjendje të dobët ekonomike. Prej disa kohësh ajo jetonte me prindërit në fshatin Frashër të Patosit, ku punonte në bujqësi./ Top Channel



