Simon Shollai, 21 vjeç, është gjetur i pajetë këtë mëngjes në ambientet e konviktit të shkollës ortodokse “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër. I riu, me origjinë nga Lushnja, kishte përfunduar më parë studimet në këtë institucion dhe kishte ardhur për të kaluar disa ditë në konvikt.

Trupi i tij u zbulua nga shokët e dhomës, ndërsa pranë tij janë gjetur medikamente të dyshuara si antidepresantë. Hetuesit janë duke pritur rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse vdekja ka ardhur si pasojë e shkaqeve natyrale apo një mbidoze medikamentesh.

Pak minuta më parë, trupi i të ndjerit është transportuar në morgun e qytetit për ekzaminime të mëtejshme. Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

NJOFTIMI:

‘Më datë 16.01.2025, rreth orës 09:55, në tualetet e konviktit të një shkolle private, në lagjen “11 Janari”, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi S. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që 21 vjeçari merrte për shkak të depresionit”, bën me dije policia.