Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e djeshme në Tiranë, ku një vajzë 16-vjeçare humbi jetën pasi u hodh nga kati i nëntë i një pallati në ndërtim, në rrugën “Gjon Buzuku”, pranë Rrugës së Dibrës.
E mitura nuk ishte banore e zonës; mediat raportojnë se ajo jetonte në Kamëz. Pasditen e djeshme, vajza kishte hyrë fshehurazi në godinë, kishte pritur që punëtorët të largoheshin dhe më pas kreu aktin fatal. Ajo gjeti vdekjen e menjëhershme nga rënia.
Në çantën e saj u gjetën disa ilaçe, çka ka ngritur dyshime se mund të ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe me probleme familjare.
Banorët e zonës ishin të parët që zbuluan ngjarjen dhe njoftuan policinë. Ndërkohë, prindërit e vajzës, ende të tronditur nga tragjedia, nuk kanë dhënë ende dëshmi.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.