Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën pranë Rinasit, ku dyshohet se është kryer një atentat i mirëfilltë. Sipas informacioneve të para, një automjet me targa greke ka qëlluar me breshëri plumbash drejt një makine tjetër në rrethrrotullimin e Rinasit. Mjeti që dyshohet të ketë qenë i përfshirë në atentat është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Burime të besueshme bëjnë me dije se ngjarja nuk ka qenë një konflikt i rastësishëm, por një atentat i planifikuar, që e bën edhe më të rëndë situatën. Viktima, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, raportohet të ketë marrë plagë të rënda, ndërkohë që dyshohet për viktima të tjera. Autoritetet e policisë kanë thyer xhamin e automjetit për të bërë të mundur nxjerrjen e viktimës dhe të plagosurit.
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku po kryhen hetime të shpejta për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët. Po ashtu, janë grumbulluar prova dhe janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë të zonës, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e atentatit.
