Vetëm pak orë pas atentatit të ndodhur në Elbasan, u arrestua në qytetin e Fierit pas një aksioni nga policia dhe forcat RENEA, vrasësi serial Nuredin Dumani.
Bëhet e ditur se Dumani ka qenë i plagosur dhe i armatosur kur i janë vënë prangat në Fier.
Dumani akuzohet për disa vrasje, dy prej tyre në Durrës, ku kanë mbetur 4 viktima mes të cilëve vëllezërit Haxhia, si dhe Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli.
Atentati në Elbasan
Një automjeti tip BMW në lëvizje u qëllua me breshëri arme, plot 20 plumba, pasditen e sotme. Në këtë makinë u gjet dhe armë kallashnikov dhe një bidon benzinë. Nisur nga këto fakte, ka dyshime se personat që udhëtonin me të, mund të kishin planifikuar një atentat, por janë pikasur. Pamjet tregojnë se xhamat e makinës dhe rrotat janë shpuar nga plumbat. Mësohet se targa rezultojnë të vjedhura në prill të 2021, në Durrës.
Nuredin Dumani është një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi akuzohej si vrasës serial, pasi ishte i implikuar në të paktën 7 vrasje. Ndaj Dumanit më herët Prokuroria ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe ka në duar prova të mjaftueshme për ta implikuar si ekzekutor në të paktën shtatë vrasje. Nuredin Dumani ka qenë krahu i djathtë i të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela, i cili edhe ky është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për një sërë vrasjesh.
Dumani më herët ka qenë i akuzuar për prostitucion, por prej vitit 2022, ndaj tij rezultojnë edhe akuzat e vrasjes.
Nga miq në armiq
Dumani së bashku me Çelën në vitin 2020 ekzekutuan vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre. Ishin Altin Ndoçi dhe Klevis Alla ata që dëshmuan para policisë se kush ishin autorët e vrasjes së dy vëllezërve në Durrës, duke nxjerrë zbuluar Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin. Në atë kohë Altin Ndoçi dhe Klevis Alla ishin caktuar të ruanin dy vëllezërit Haxhia, të cuilët më pas u ekzekutuan nga Dumani dhe Çela. Ndërkohë që më herët Dumani dhe Çela ekzekutuan Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës, ishin tabulatet telefonike ato që zbuluan krimin.
Ndërkohë, Çela ishte shpallur në kërkim për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, pasi akuzohej se në servisin e tij, kishte ndihmuar autorët që të modifikonin furgonin me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, në mënyrë që askush të mos dyshonte tek ata.